‘Na rrezikohet jeta’, merren në mbrojtje dy prokurorët që prenë fletën e arrestit për Ardjan Çapjan

31/03 9:45
Credits to Apollon TV

Drejtuesi i prokurorisë në Elbasan, Kreshnik Ajazi dhe prokurori Ridvan Suka janë marrë nën mbrojtje.

Vendimi për marrjen në mbrojtje të Ajazit dhe Sukës është marrë nga Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve.

Kërkesa për mbrojtje është bërë vetë nga prokurorët që firmosën fletën e arrestit për Ardjan Çapjan.

Dy prokurorët argumentojnë se atyre u rrezikohet jeta e tyre dhe e familjes të tyre.

Ardjan Çapjan u arrestua nën akuzë nga Prokuroria për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqiri, në vitin 2012. Në kërkim, është shpallur shtetasi Florenc Çapja.

Sipas Policisë, këta shtetas në vitin 2012 dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir). Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Kush është Ardjan Çapja

53 vjeçari njihet si një person me ndikim në qytetin e Elbasanit, dhe i përfshirë në disa ngjarje kriminale, në të shumtën e rasteve si “shënjestër” atentatesh. Ardjan Çapja u ka mbijetuar 4 atentateve, i fundit i ndodhur në qershor 2020.

Historia e hasmërisë me fisin Mema

Historia ka nisur në vitin 2005, ku Sokol Çapja u përfshi në një konflikt me ish-kreun e Qarkullimit Rrugor në Elbasan, Fadil Mema.

Sokol Çapja mbeti i vrarë pas kësaj ngjarje, ndërsa si autorë u akuzuan nipërit e oficerit të Policisë, por nuk mbaroi këtu, pasi Çapjajt morën hak duke vrarë kunatin e Fadil Memës, Ardian Ibrahimin në maj 2006.

Në vitin 2012 –  u ekzekutua Gentian Beqiri, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjas, ndërsa në mars të 2015 në Torino të Italisë ekzekutohet edhe Fadil Mema.

Në 3 shkurt 2016 –  bëhet edhe atentati i parë ndaj familjes Çapja, ku mbetën të vrarë Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, ndërsa mes tetë të plagosurve ishte dhe Florenc Çapja.

Në 6 gusht 2017 –  Ardian Çapjas i bëhet edhe atentati i dytë, u godit me predha, por për fatin e tij të mirë predha nuk shpërtheu, duke bërë që edhe këtë herë Ardian Çapja t’ja hidhte paq.

Atentati i tretë i bëhet përsëri në vitin 2017, ku në afërsi të banesës së tij goditet me kallashnikov dhe armë të tjera, por sapo ka dëgjuar të shtënat ai është futur brenda duke iu shpëtuar plumbave.

Makina e përdorur nga autorët, të cilët as sot nuk janë gjetur, ishte e vjedhur dhe i përkiste një biznesmeni në Tiranë, Xh. Hoxhës. Pas atentatit autorët e dogjën makinën dhe bashkë me të edhe provat që policia mund të gjente.

Më 8 qershor 2020- bëhet atentati i katërt ndaj tij dhe familjes, ku Ardian Çapja u godit me snajper nga një kodër. 53 vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit

Gentian Beqiri ka qenë dënuar si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005. Ai qëndronte në shtëpinë e tij në Elbasan dhe ruhej nga Policia. Si i përfshirë në këtë vrasjes është ekstraduar nga Italia Etien Cani.

Duke qenë se ky i fundit ishte shok fëmijërie me Beqirin, ai u lejua nga efektivët e Policisë që të futej në shtëpinë e tij. Aty, u ekzekutuan Gentian Beqiri dhe babai i tij Nezir Beqiri. Po në lidhje me këtë vrasjes, është arrestuar në Greqi në 2020 shtetasi Jorgo Leku.

Jorgo Leku, 41 vjeç, i njohur edhe me tre identitete të tjera si Olsi Leka alias Giorgo Lekou alias Jorgo Lekou është vënë në pranga nga Interpol Athina pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për vrasjen e 15 gushtit 2012. 

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.