Mitsotakis për çështjen Beleri: Situata lë në hije marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, s’do të ndalemi së ngrituri këtë çështje në nivel europian

17/09 16:14
Credits to Apollon TV
Mitsotakis për çështjen Beleri: Situata lë në hije marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, s’do të ndalemi së ngrituri këtë çështje në nivel europian

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka mbajtur fjalën në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut, ku ka folur dhe për çështjen e Fredi Belerit.

Mitsotakis tha se çështja Beleri lë në hije marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë. Ai u shpreh se nuk do të ndërhyjë në drejtësinë shqiptare, por kërcënoi duke thënë se kjo krijon probleme dhe se do të ketë implikim më të gjerë në përpjekjen e Shqipërisë për t’u integruar në BE.

“Më shqetëson fakti jo vetëm i burgut, por që edhe sot Shqipëria i mohon të drejtën për të betuar një kryetar bashkie.

Këtë ia kam raportuar udhëheqjes së Shqipërisë dhe nuk ndërhyj në drejtësinë shqiptare, por kjo është shkelje e shtetit ligjor dhe krijon probleme të mëdha në marrëdhëniet dypalëshe që do të kenë implikime më të gjera në përpjekjen e Shqipërisë për t’iu afruar BE-së”, tha kryeministri grek.

“Nuk do të ndalem së ngrituri këtë çështje në nivel europian dhe vetë Ramës”, tha Kyriakos Mitsotakis.

Kujtojmë se kryebashkiaku i Himarës ndodhet në paraburgim prej datës 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Pavarësisht se ishte në qeli, ai arriti të fitonte dhe të merrte mandatin nga KQZ.

Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe bashkë me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, akuzohen për blerje votash.

Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.