Misteri i ‘Casa Italias’, 39 orë nga zjarri i madh që shkrumboi magazinën, asnjë shenjë nga shefi i sigurisë Arjan Sala

26/03 6:44
Credits to Apollon TV

39 orë pa asnjë shenjë për Arjan Salën, shefin 33 vjeçar të sigurisë së qendrës tregtare “Casa Italia”, i cili prej pasdites së 24 marsit rezulton i zhdukur. I riu u fut në katin -1 të magazinës sapo ra alarmi për zjarr, shpëtoi punëtorët, por mbeti vetë brenda.

Forca të shumta zjarrfikëse, dy grupe të specializuara të Ushtrisë gjithashtu, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për gjetjen e 33 vjeçarit, dhe shmangjen e kolapsimit të gjithë ndërtesës.

Për shkak se zjarri ka vijuar prej orësh, zjarrfikësit kanë hedhur ujë në dyqanet në katet e sipërme të godinës, për të mbajtur nën kontroll temperaturën e betonit. Sipas Komandantit të repartit të Tiranës Saki Sheshi, rrezikon që të bjerë gjithë godina e qendrës tregtare, nëse temperatura nuk mbahet nën kontroll.

Dje, Sheshi tha se vatrat e zjarrit janë shuar por për shkak të materialeve që kanë qenë në magazinë, temperatura është shumë e lartë. Për shefin e rojeve të sigurisë, Arjan Sala, ai ka thënë se zjarrfikësit janë futur disa herë por nuk e kanë gjetur.

Familjarët e shefit të sigurisë Arjan Sala, kanë akuzuar forcat zjarrfikëse për neglizhencë, ndërsa këta të fundit janë shprehur se 6 makina zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë pas sinjalizimit për zjarr te Casa Italia, por niveli i gazrave toksik është shumë i lart për shkak të materialeve platike që janë djegur.

Edhe mëngjesin e sotëm, kur janë bërë 39 orë nga zjarri i madh që shpërtheu në magazinën e qendrës tregtare, nuk ka asnjë shenjë për Arjan Salën.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.