
Metodologjia e kostos së studimeve në mjekësi

Qeveria ka vendosur metodologjinë e përcaktimit të kostos së studimeve, për studentët e Mjekësisë së Përgjithme, në institucionet e arsimit të lartë publik. Bëhet me dije se kostoja e përllogaritur do të bëhet publike për studentët përpara fillimit të vitit akademik. Në vendimin e publikuar nga qeveria, njoftohet se shuma totale e shpenzimeve të përllogaritura për një vit, përpjesëtohet me numrin e studentëve, që ndjekin programin e studimit, për të vlerësuar koston për student. Në përllogaritjen e kostos së studimit të programit “Mjekësi e përgjithshme”, kostot direkte përfaqësohen nga të gjitha shpenzimet, që parashikohen të kryhen në një vit për ofrimin e shërbimit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Ndërsa kostot indirekte përfshijnë shpenzimet kapitale dhe shpenzime të tjera operative. Kjo kosto do të paguhet nga të gjithë studentët të cilët nuk do të firmosin marrëveshjen me ministrinë e Arsimit dhe të Shëndetësisë, sipas të cilës pas përfundimit të studimeve ata duhet të punojnë deri në 5 vjet punë në spitalet e vendit që të marrin diplomën. Këtë vit 1743 aplikantë kanë zgjedhur degën e Mjekësisë, ndryshe nga një vit më parë kur aplikantët ishin mbi 3 mijë.