
Meta: Përpjekje e mazhorancës për të minuar pluralizmin në vend, reagova se më dhunuan me forcë stafin e Presidencës

Presidenti Ilir Meta në konferencë për mediat ka sqaruar atë që ndodhi pak ditë më parë në selinë e FRD-së.
Meta u shpreh se kjo ishte tregues i sjelljes së paligjshme të mazhorancës.
Ai u shpreh se në mur kishte vetëm një letër ku kërkohej që të liroheshin zyrat e FRD-së, por që sipas tij në letër nuk kishte asnjë bazë ligjore.
Ndër të tjera Kreu i Shtetit tha se ka reguar në atë mënyrë pasi policia me dhunë dhe forcë ka penduar stafin e Presidencës që të futet në zyrat e FRD-së.
“Situata e dhunshme që ndodhi në Selinë e Frymës së Re Demokratike dhe sulmi ndaj kësaj force politike vetëm pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes me partitë opozitare është një tjetër tregues i sjelljes së paligjshme të mazhorancës për të minuar pluralizmin politik në vend. Ky sulm bie ndesh me të gjitha parimet e shtetit të së drejtës.
Të gjitha sulmet janë kryer në kundërshtim të hapur me ligjin. E gjithë veprimtaria e kryetarit të bashkisë është në shkelje të hapur të të gjitha parimeve mbi të cilat funksionon administrata. Në ambientet e FRD-së ishte ngjitur diku në korridoret e saj një letër pa origjinë, pa nënshkrim, me vulë titullari, e datës 3 mars me qëllim që ta bënin këtë të dukej si akt zyrtar për të justifikuar dhunën dhe terrorizimin e kësaj force politike.
Kjo letër përveçse nuk plotëson kriteret minimale të një akti administrativ por nuk citonte asnjë bazë ligjore. FRD i shkëputen energjinë elektrike ndërkohë që kryetari dhe disa drejtues të saj ishin në ambientet brenda.
Ky ishte momenti kur kryetari i FRD-së më njoftoi. Pas kam mbërritur te hyrja kryesore e godinës dera ka qenë e mbyllur nga policët bashkiakë me uniformë apo pa uniformë sikur të ishte skenë krimi. Është hapur dera dhe është lënë të futej vetëm Presidenti i Republikës dhe janë penguar me dhunë dhe forcë stafi i Presidentit dhe disa drejtues të FRD-së. Ky është momenti kur unë kam reaguar”, tha Meta.