
Mbushën Danimarkën me kokainë, SPAK prangos dy anëtarët e bandës shqiptare, “bosi” Jetmir Kastrati i dënuar me 13 vite

Dy anëtarë të një bande shqiptare të trafikut të kokainës dhe hashashit janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pas një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet e drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës.
- Më datë 11.07.2023, nga Policia e Shtetit është bërë i mundur ekzekutimi i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin nën hetim N.N, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
- Më datë 03.07.2023, nga Policia e Shtetit janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasit nën hetim K.D dhe A.M, gjithashtu të dyshuar për kryerjen veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Personat e arrestuar aktualisht në Shqipëri, në kuadër të proçedimit penal nr.49 të vitit 2023, dyshohen se janë pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, të cilët në kuadër të hetimeve të kryera në Danimarkë në lidhje me “Operacionin Goldfinger” dhe të zhvilluar gjatë viteve 2018-2019, dyshoheshin se kanë trafikuar, ruajtur, përpunuar dhe shpërndarë sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike kokainë dhe mariuhanë, duke vepruar kryesisht në Danimarkë , Suedi, Norvegji, Belgjikë, Hollandë dhe Gjermani.