
Mashtruesit e biznesmenëve, 4 në pranga, 2 në kërkim. Hiqeshin si zyrtarë shteti

Tentativa për të marrë përmes mashtrimit 70 mijë euro nga një biznesmen, ka çuar drejt arrestimit 4 persona nga Elbasani e Vlora, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Elbasanit ka bërë arrestimin e Xhonatan Xhaferrit, 24 vjeç, Leonard Xhikës, 39 vjeç, Mikel Panxhit, 30 vjeç, të tre banues në Elbasan, dhe Petro Ferzajt, 51 vjeç, banues në Vlorë. Në kërkim janë shpallur Xhensil Qefa, 27 vjeç dhe Florian Gjergji 40-vjeç.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin këta të gjashtë kanë tentuar të mashtrojnë një biznesmen për t’i zhvatur para.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit e mësipërm, duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror kanë tentuar të marrin nga biznesmeni shumën prej 70 mijë eurosh
Në cilësinë e provës materiale policia iu sekuestroi 2 automjete dhe 6 aparate celulare, ndërkohë që hetimet e mëtejshme për ngjarjen do të kryhen nga prokuroria e Tiranës.