Makina E PROKURORIT shpërtheu brenda parkimit të Kristal Center (EMRI/DETAJET)

11/03 19:41
Credits to Apollon TV

Makina e një prokurori ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në parkingun e një qendre tregtare te Komuna e Parisit.

Sipas raportimeve paraprake, makina luksoze është në pronësi të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Arjan Muça.

Shpërthimi dyshohet se është kryer me lëndë eksplozive në momentin që makina ka qenë e parkuar në brendësi të Kristal Center dhe ka qenë tepër i fortë duke shkaktuar panik te qytetarët e shumtë, të cilët kanë dalë të tmerruar nga qendra tregtare.

Fatmirësisht askush nuk është lënduar nga shpërthimi i fuqishëm.

Makina e prokurorit Arjan Muça shpërtheu mbrëmjen e sotme në një parking në zonën e “Komunës së Parisit”.

Arjan Muça është një emër i njohur, pasi ka qenë shefi i Operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në 7 gusht 2009, ku për pasojë mbetën të vdekur 4 policë.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit me në krye Arjan Muçën, ndërhynë në zonën e plazhit në Durrës për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.

Më pas Muça është emëruar prokuror në Gjirokastër, ndërkohë që muajt e fundit është komanduar në Tiranë te Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Arjan Muça është bashkëshorti i Gentiana Muçës, e cila është gjyqtare në Gjykatën Administrative të Tiranës, ndaj policia po heton nëse ngjarja lidhet edhe me detyrën e saj.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.