
Majlinda Sula, motra e 33-vjeçarit që humbi jetën në një spital në Barcelonë dhe u konstatua se në trupin e tij mungonte zemra: Vëllai më tha të shkoja ta merrja se po e vrisnin


Motra e 33-vjeçarit Saimir Sula, ka folur për vdekjen e vëllait të saj.
Sula shkoi në Barcelonë te e motra në maj të vitit të kaluar, por atje u shtrua në spital dhe humbi jetën nga rrethana që edhe sot janë të paqarta.
Në një prononcim për Report Tv, motra e 33-vjeçarit ka thënë se vëllai e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë që ta merrnin nga spitali se po e vrisnin.
Pas lajmit për vdekjen e tij, e motra ka dyshuar pasi ai kishte vetëm temperaturë dhe asnjë shqetësim tjetër.
“Ne jetonim në Barcelonë. Nga pasditja vëllai kishte temperaturë.
Hyri në atë spital vetëm për të bërë provën e Covid, të nesërmen më telefonoi dhe më tha se po më vrasin. Më tha hajdeni më merrni.
Irena Petit më telefonoi dhe më tha që hajdeni paraqituni dhe më thanë nuk e di pse, por po ndërron jetë. Më thanë që i bënë një qetësues dhe vetëm pak sekonda më pas i pushoi zemra.
Unë kisha dyshime në momentin që më thanë se vëllai ndërroi jetë. Nuk kishte arsye se përse të vdiste.
Kur sollën trupin në Shqipëri ishim të bindur se kishte diçka. Mësuam se ku mund të bënim një autopsi, bëmë një kërkesë tek institucionet. Atje nuk të lejojnë që ta marrësh trupin në shtëpi. Ia japin vetëm funeralit.
Mjekët thanë se kishte një mungesë organesh, por nuk ka dhanë një arsye se përse kishte vdekur, pasi i mungonte zemra.
Me 8 maj vëllai im ecte në rrugët e Barcelonës dhe po përgatiteshim për ditëlindjen time, nga pasditja kishte një temperaturë dhe e çova në spital, kur shkova për ta marrë që të festonim ditëlindjen më thanë që i pushoi zemra”,- tha motra e Saimir Sulës.