Letër publike shefit të SPAK: Këtu, harbutëria dhe arroganca e njeriut të pasuruar duke vjedhur nuk pyet për ligjin. Ju, keni në dorë të bëni shumë

07/07 13:57
Credits to Apollon TV
Letër publike shefit të SPAK: Këtu, harbutëria dhe arroganca e njeriut të pasuruar duke vjedhur nuk pyet për ligjin. Ju, keni në dorë të bëni shumë

Drejtuesin e SPAK, Arben Kraja, unë e njoh shumë herët dhe mund ti shkruaja edhe privatisht. Por duke qenë se çështja për të cilën po i shkruaj nuk është private, zgjodha ti drejtohem publikisht, atij dhe të tjerëve që punojnë në SPAK

Z. Prokuror!

Ju duhet ta dini, që shumë të rinj shqiptarë duan të ikin nga ky vend jo thjeshtë sepse nuk gjejnë një punë të mirëpaguar, por sepse ata nuk kanë shpresë. Shpresë për të jetuar në një vend ku të ketë: Standarde pune dhe page të përafërta me ato të vendeve të BE-së, standarde të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, të ketë barazi dhe garë të ndershme. Këtu, habutëria dhe arroganca e njeriut të pasuruar duke vjedhur dhe njeriut të fortë që nuk pyet për ligjin, të përplaset surratit si shuplakë. Të bën të ndjehesh i pavlerë, të fyen.

E di që do të thoni: Po ç’punë kam unë me këto? Unë jam një prokuror që hetoj njerëz që shkelin ligjin.

Po, është e vërtetë, por e gjithë kjo klimë që çon në vrasjen e shpresës, buron pikërisht ngaqë një duzinë njerëzish për tri dekada me radhë kanë dalë mbi ligjin, ata i kanë dhënë të drejtë vetes të vjedhin, të abuzojnë me taksat tona, të pasurohen, të jetojnë në luks me para jo të ndershmne, të zhvasin pasurinë nëntokësore, minerale dhe naftë, toka, pyje, plazhe dhe parqe nga atdheu ynë i përbashkët dhe të mos ndëshkohen.

Të rinjtë zoti prokuror, nuk ikin nga ky vend vetem sepse s’kanë një punë të mirë, por sepse ky vend është tërësisht i kontaminuar me paligjshmëri.

Ju nuk mund ta ndyrshoni historinë e këtij vendi, ndoshta në pak kohë. Por ju dhe të tjerë aty, nëse e kuptoni se detyra juaj nuk është thjeshtë detyra e një ligjzbatuesi, keni në dorë të bëni shumë.

Sepse të gjitha të këqijat burojnë nga mungesa e drejtësisë. Ju duhet ta dini se shumë njerëz në këtë vend mezi presin të shikojë të përballen me ligjin, ata që e kanë shkelur atë. Dhe këtu, ju e dini, këta janë të shumtë. Megjithëse të bindur se kjo drejtësi nuk është e kulluara, sërish qytetarët e këtij vendi shpresojnë shumë. Shpresojnë të shikojnë çekiçin e drejtësisë të bjerë mbi kokat e atyre që, jo vetëm e kanë vjedhur e zhvatur këtë vend, por i kanë vrarë edhe shpresën se një ditë ai mund të jetë normalisht i jetueshëm.

Për këtë arsye detyra juaj është shumë më shumë se detyra e një prokurori.

Ju e këni të gjithë mbështetjen dhe admirimin e shqiptarëve.

Bëni që nga sot të fillojë një ndryshim i historisë.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.