Lefter Alla dhe Fredi Beleri dalin nga spitali, dërgohen në paraburgimin e Durrësit

23/08 11:56
Credits to Apollon TV
Lefter Alla dhe Fredi Beleri dalin nga spitali, dërgohen në paraburgimin e Durrësit

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla dhe kryebashkiaku i pabetuar i Himarës, Fredi Beleri kanë dalë nga Qendra Spitalore e Burgjeve në Tiranë dhe janë dërguar këtë të mërkurë drejt paraburgimit të Durrësit. Aty, ata do të presin përfundimin e hetimeve dhe daljen në gjyq.

Alla dhe Beleri kishin shfaqur probleme shëndetësore menjëherë pas arrestimit nga SPAK dhe po merrnin ndihmë mjekësore në spital.

Pas rikuperimit, është vendosur që ish-kryuebashkiaku i Bulqizës dhe kryebashkiaku i Himarës të dërgohen në qelitë e tyre në paraburgimin e Durrësit. Aty ndodhen dhe emra të njohur të politikës, të cilët janë arrestuar po me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Akuza ndaj Lefter Allës

Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Lefter Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë Bulqizë dhe punonjësit e tjerë, si specialiste të prokurorimeve, anëtarët e KVO, kanë favorizuar kompanitë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k për marrjen e një tenderi me vlerë 322.439.000 lekë të reja, për ndërtimin e ujësjellësit të rrjetit të KUZ, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë.

Funksionarët e Bashkisë kanë krijuar avantazhe për dy subjektet e mësipërme gjatë procedurës së prokurimit. Në të njëjtë kohë nga hetimi i SPAK ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.

Pra, Lefter Alla dhe vartësit e tij favorizuan kompanitë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k që të fitonin tenderin miliona lekë, dhe punimet në fund i kreu kompania 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë Bulqizë.

Akuza ndaj Fredi Belerit

Kryebashkiaku i Himarës ndodhet në paraburgim prej datës 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Pavarësisht se ishte në qeli, ai arriti të fitonte dhe të merrte mandatin nga KQZ.

Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe bashkë me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, akuzohen për blerje votash.

Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.