
LAJM I FUNDIT/ MËNGJES TRAGJIK: I infektuar me Covid-19 prej 1 muaji, humb jetën Bashkim Fino


Ish-kryeministri Bashkim Fino, dhe një nga deputetët më të spikatur në radhët e Partisë Socialiste, ka ndërruar jetë në moshën 59 vjeçare.
Prej më shumë se 1 muaji, Fino ishte infektuar me Covid-19. Sot, bëhet me dije se socialisti nuk e ka fituar dot betejën për jetën.
Kush ishte Bashkim Fino
Bashkim Fino lindi në Tiranë, më 12 tetor 1962. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Gjithashtu ka kryer specializime për menaxhimin e pushtetit vendor në SHBA, Itali, Greqi e Finlandë. Ka një karrierë të pasur profesionale në fushën ekonomike. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.
Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore.
Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Në vitin 2004, ishte Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.