
Kulla gjigante mes kryeqytetit, cila është kompania zbatuese që do të ndërtojë “Malin e Tiranës”

Një kullë 58-katëshe do të ndërtohet në kryeqytet duke shuar në këtë mënyrë lulishten e vetme që kishte mbetur mes Tiranës. Reagimet kanë qenë të shumta në rrjetet sociale, me qytetarët që shpreheshin të indinjuar për vendimin e fundit të qeverisë.
Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen për ndërtimin e kësaj kulle 205 metër të gjatë, e cila pozicionohet saktësisht në Rrugën e Barrikadave, prapa Pallatit të Operas dhe Baletit. Kjo leje është miratuar në datën 8 mars të këtij viti, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit. Kjo kullë do të jetë një qendër multifunksionale, ku do të ketë hapësira për zyra, rezidencë, hoteleri dhe argëtim.
Projekti
Projekti “Mount Tirana” ose e thënë në shqip, “Mali i Tiranës” u prezantua në tetor të vitit të shkuar duke u shpallur fituese kompania “Cebra”, nga 5 studio të huaja që ishin në konkurim. Juria që vendosi për studion fituese ishte e përbërë nga kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe disa arkitektë të njohur si Stefano Boeri, Freek Persyn dhe Filippo Innocenti. Fillimisht u tha se kulla do të ishte e gjatë 185 metër, por në variantin përfundimtar shihej se do të ishte plot 205 metër.
Kompania zbatuese
Në vendimin e datës 8 mars të vitit 2023-të, raportohej se subjekti zhvillues do të ishte shoqëria “Nova Construction – 2012”. Në një hulumtim të thjeshtë në “Qendrën Kombëtare të Biznesit” rezulton se kjo është kompani është nën administrimin e dy aksionerëve. Biznesmeni Ilir Shtufi ka 91 përqind të aksioneve, ndërsa Ilir Shtufi 9 përqind të tyre. Kjo kompani rezulton se ka fituar dhe zbatuar projekte të tjera në ndërtimin e disa qendrave multifunksionale në Tiranë.