
“Kryeministri në detyrë t’i thërrasë mendjes”, Meta fton Ramën dhe Ballukun: Të mblidhemi që t’i japim zgjidhje kësaj situate


Presidenti Ilir Meta në një deklaratë për mediat nga qyteti i Vlorës ka folur për bllokimin e aeroportit të rinasit nga kontrollorët, duke u shprehur se kryeministri duhet t’i thërrasë mendjes.
Ai ka ftuar kryeministrin Rama, ministren Balluku dhe sindikatën e kontrollorëve që të bëjnë një mbledhje për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate.
“Çështja e pagave është çështje e plan-biznesit të AlbControl. Kjo kompani ka një llogari financiare në EuroControl, në të cilën derdhen paratë për shtetin shqiptar. Nëse ka bllokim të parave, duhet parë për një zgjidhje të arsyeshme. Në këtë moment delikat, dua të shpreh keqardhjen për veprimin e kontrollorëve, qoftë të atyre që janë provokuar. Dua t’i bëj thirrje kryeministrit në detyrë t’i thërrasë mendjes, pasi nuk mund të bëhen lojëra të tilla në një moment të tillë, pasi nuk jemi në Amerikën Latine të para disa dekadave. Unë nuk e humbas durimin dhe nuk shqetësohem nga provokimet e qëllimshme, të cilat kanë një problem, dramën e zgjedhjeve pluraliste në 25 prill, që do të bëhen dhe nuk e luan topi. Meqënëse jemi në këtë situatë, unë e ftoj kryeministrin, ministren Balluku, ftoj sindikatën dhe përfaqësues të vendeve të NATO-s, të BE-së, të bëjmë një bisedë dhe t’i japim një zgjidhje të arsyeshme dhe të logjikshme. Siç u kam thënë edhe kontrollorëve, për shkak të pasojave që vijnë nga pandemia, duhet të jemi realist”, tha Meta.