Komisioni për shkarkimin e Metës, Bushka rendit shkeljet: Të bazohemi te provat dhe faktet

25/05 12:54
Credits to Apollon TV
Komisioni për shkarkimin e Metës, Bushka rendit shkeljet: Të bazohemi te provat dhe faktet

Është mbledhur sot Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Kreu i këtij komisioni, Alket Hyseni, bëri thirrje që anëtarët t’i referohen vetëm ligjit dhe të respektojnë Kushtetutën, përtej emocioneve dhe bindjeve politike.

“Në bazë të provave të administruara, postimeve të ndryshme, pamjeve filmike, reagimet e komuniteteve, që të gjykohet në respekt të Kushtetutës, të ligjeve të Republikës dhe të jemi sa më objektivë, përtej emocioneve dhe bindjeve politike dhe përkatësisë politike të secilit nga ne”.

Relatorja e çështjes, Klotilda Bushka, është shprehur se të gjitha provat janë administruar para Komisionit. Sipas saj ndër shkeljet më të rënda të Presidentit janë nxitja e urrejtjes dhe dhunës, dëmtimi i imazhit dhe reputacionit të vendit dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë, cenim i figurës së institucionit të Presidentit, si edhe abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit.

“Jemi në fazën ku nuk kemi më nevojë për prova të reja. Provat janë administruar para Komisionit. Jemi një komision hetimor që po diskutojmë mbi shkeljet e bëra të Presidentit nga 49 deputetë që kanë firmosur këtë nismë. Objekti i hetimit është hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga presidenti, gjatë fushatës dhe ditën e heshtjes zgjedhore dhe në 25 prill, nëse janë kundër kushtetutës. Duke iu referuar objektit të hetimit dhe kërkesave të parashtruara në kërkesën e 49 kolegëve tanë, pretendimet lidhen me këto shkelje:

Shkelja e betimit të Presidentit, shkelja e detyrimeve kushtetuese për të qenë përfaqësues i unitetit të popullit, shkelja e detyrimeve kushtetuese për të mos ushtuar asnjë aktivitet tjetër përveç atë të Presidentit, shkelja e detyrimeve kushtetuese për të mos ushtruar asnjë kompetencë të parashikuar në ligj, cenim i të drejtave të  individëve, cenim me partnerët strategjikë, cenim i  imazhit të vendit, abuzim me kompetencat e presidentit.

Ky komision duhet të japë konkluzione në lidhje me ekzistencën e këtyre shkeljeve dhe të vërtetojë nëse këto shkelje janë të rënda për t’i dhënë përgjigje kolegëve deputetë.

Komisioni Hetimor duhet të bazohet në provat dhe faktet. Në lidhje me shqyrtimin për shkeljen e rëndë, në legjislacionin përkatëse nuk kemi një përcaktim të qartë, por duke iu bazuar jurisprudencës, opinionit të Venecias, Komisioni mund të analizoje shkeljen e rëndë në varësi të disa faktorëve. Ju vë në dijeni se kolegët deputetë kanë ngritur pretendime që lidhet me disa nene të kushtetutës”, theksoi Bushka

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.