
Keto janë kushtet për të marrë nënshtetësinë greke


Një tjetër kapitull hap Greqia për pajisjen e të interesuarve me nënshtetësinë greke. Ka qenë vetë ministri i Brendshëm, Makis Voridhis, i cili më 22 mars ka shtypur butonin “start” të platformës së re elektronike, ku do përfshihen të gjithë aplikantët, ata në pritje dhe të rinjtë. Platforma e shumëdiskutuar do të ofrojë testimin elektronik të gjuhës dhe historisë/ kulturës greke, një tjetër risi e përfshirë në reformën e fundit ligjore 4735/2020 të Kodit të Nënshtetësisë.
Të interesuarit mund të klikojnë në faqen elektronike të Sekretarisë së Përgjithshme të Nënshtetësisë, ndërsa në të njëjtën menu, por në një tjetër opsion “exetaseis-ithageneia.ypes.gr” është instaluar “banka e temave”, domethënë pyetje-përgjigje të gatshme për përgatitjen e aplikuesit. Ministri i Brendshëm ka deklaruar se organet kopetente kanë respektuar afatet kohore për funksionimin e platformës, ku do të mund të aplikohet për pjesëmarrjen në provimet e para elektronike të gjuhës dhe kulturës/historisë greke.
Sipas shtesës ligjore të fundit, certifikata e siguruar nga këto provime është e domosdoshme për të aplikuar e në vijim shqyrtuar kërkesën e emigrantëve për nënshtetësinë greke. Sekretari i Përgjithshëm për Nënshtetësinë, Athanasios Balermas, bën të ditur se kjo platformë është e ndërvarur nga database (baza e të dhënave) të Institutit të Pavarur të Buxhetit Publik (AADE) dhe të ministrisë së Emigracionit, për identifikimin automatik të aplikuesit.