
Kërcënohet me vdekje Albin Kurti, arrestohet 1 person

Një person është arrestuar këtë të enjte pasi kërcënoi me jetë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Sipas autoriteteve kosovare, një shtetas me inicialet N.S kishte bërë një postim në Facebook me përmbajtje inkriminuese, ku ka kërcënuar me jetë kreun e qeverisë së Kosovës. Më pas, ai i kishte përsëritur të njëjtat deklarata emisionin televiziv “Debat Plus” në Kosovë, më datë 30 gusht.
Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, shtetasi N.S rrezikon nga tre deri në dhjetë vite burg, pasi akuzohet për dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës. Ai po mbahet në paraburgim, derisa gjykata të japë vendimin për masën e sigurisë.
Njoftimi i Policisë së Kosovës
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar sot të dyshuarin me inicialet N.S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale ‘’Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’ nga neni 121 të KPRK-së. Prokuroria Speciale njofton se i dyshuari N.S. ka bërë kanosje të dhunës për vrasje ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social “Facebook’’ me përmbajtje inkriminuese, si dhe, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “DEBAT PLUS’’
Kushdo që me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës, pengon një apo më shumë nga personat e saktësuar në nenin 126 të këtij Kodi në ushtrimin e detyrave zyrtare apo i detyron të kryejnë apo të mos kryejnë ndonjë veprim nga fushëveprimi i detyrave të tyre, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.