Japin dorëheqjen dy kryebashkiakët e rëndësishëm socialistë, do futen në listat e deputetëve

08/03 10:14
Credits to Apollon TV

Dy kryebashkiakë socialistë kanë dhënë dorëheqjen pasi do të jenë pjesë e listave për deputetë në zgjedhjet e 25 Prillit.

Bëhet fjalë për Dritan Lelin në Vlorë dhe Dionis Ymerajn në Dibër.

Në vendin e Lelit në Bashkinë e Vlorës pritet të komandohet Afrim Qëndro, i ciki aktualisht mban pozitat e nënkryetarit, dhe është një nga personat e besuar të drejtuesit politik të qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri.

Mësohet se PS ka vendosur që drejtuesit politik të qarqeve të jenë në zonën e rrezikut në lista, që do të thotë se do vendosen në vendet e fundit, që mendohen si objektivat e partisë.

Ora 24 e mbrëmjes së sotme shënon dhe afatin e fundit për dorëzimin e listave shumëemërore, me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 Prillit. Siç e kanë zakon, forcat politike në vendin tonë, e kanë lënë shpalljen e tyre në ditën e fundit, për të mos thënë në orët e fundit, e ndoshta mediave do t’iu duhet të presin dorëzimin e listave në KQZ, për t’u njohur me kandidatët.

Kryeministri Edi Rama, pas një vizitë disa ditore në Itali, do të mbledhë sot në orën 18:00 Kryesinë e partisë, nga ku do të marrë edhe konfirmimin final, lista që prej ditësh është duke u formalizuar në kokën e tij.

Ndërkohë që edhe Partia Demokratike nga ana e saj, do të mbledhë Këshillin Kombëtar për vendosjen e listës finale, duke iu referuar dhe statutit të kësaj force politike. Ndërkohë që nga LSI burimet bëjnë me dije se lista është gati, dhe do të dorëzohet në orët në vijim në KQZ, me Monika Kryemadhin, që pritet të garojë si e para në katër qarqe të ndryshme, duke shfrytëzuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Të gjithë krerët e partive politike, ndodhen nën vëzhgimin e rreptë të SHBA-së dhe BE-së për të pastruar nga listat çdo person me rekorde kriminale, apo të dyshuar për korrupsion. Jo më larg se mbrëmjen e djeshme ambasadorja Yuri Kim dha një mesazh të qartë se në rast se në lista do të përfshihen individë me të shkruar kriminale, atëherë kjo është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryetarëve të partive.

“Nesër (sot) është afati i fundit që partitë politike të paraqesin listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 Prillit. SHBA ka qenë tepër e qartë për përgjegjësinë e liderëve që duhet të sigurojnë kandidatë të pastër sipas ligjeve shqiptare dhe përcaktimeve nga Sekretari Amerikan i Shtetit. Shqiptarët nga të gjitha sferat e jetës më thonë se shqetësimi më i madh i tyre është korrupsioni, mungesa e transparencës dhe pandëshkueshmëria që kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Listat e paraqitura nga partitë nesër do të na tregojnë nëse udhëheqësit e kanë kuptuar mesazhin; nëse ata janë të përkushtuar për anëtarësimin në BE dhe nëse janë të gatshëm të marrin vendime të vështira dhe të nevojshme për një të ardhme më demokratike.

Presim që liderët e martive të tregojnë lidership të vërtetë. Ne do të bëjmë përgjegjës kryetarët e partive. Ne gjithashtu do të mbështesim fuqimisht Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve teksa do të shqyrtojë listat e kandidatëve, e cila është një detyrë që para së gjithash duhet të ndërmerret në emër të votuesve shqiptarë”, përfundon mesazhin ambasadorja amerikane.

I gjendur nën këtë presion, kryeministri Rama afroi në këto ditët e fundit, dy figura si Najada Çomo dhe Luljeta Bozo, ndërkohë që nga radhët e PD-së duket se misteri është më i madh. Ka pak lëvizje surprizë derimë tani nga Basha, i cili është nën presionin për të pasur figura të reja, të cilët do të ngjallin inspirim, për të sjellë ndryshimin e shumë pretenduar.

Në 25 Prill shqiptarët do të votojnë, për koalicionin ose partinë që dëshirojnë, dhe për kandidatin në listën e tyre shumëemërore, por sërish rolin kryesor e mban renditja që kryetarët iu bëjnë individëve të caktuar në lista, se kush do të jetë në vend të sigurt, dhe kush në vijën e zjarrit.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.