Italiani kapet duke trafikuar 2 kilogram droge me makine ne portin Durres

15/02 9:02
Credits to Apollon TV
Italiani kapet duke trafikuar 2 kilogram droge me makine ne portin Durres

DURRËS

Bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve mes Policisë Kufitare dhe strukturave të DVP Durrës çoi në goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Sekuestrohen rreth 2 kg lëndë narkotike marijuanë.

Arrestohet në flagrancë një shtetas italian, posedues i lëndës narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kanë intensifikuar kontrollet, si në dalje ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara në dalje në PKK Durrës, bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë në PKK Durrës, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, mjeti tip “Citroen”, me drejtues shtetasin italian G. A.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të mjetit, në pjesën fundore poshtë bagazhit, brenda gomës rezervë kanë konstatuar 2 paketime, brenda të cilave ndodheshin 2 kg lëndë narkotike marijuanë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit italian G. A., 50 vjeç, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.