
Italia në ‘LockDown’ deri në maj për shkak të Covid-19, cilat janë rajonet që futen në zonën e kuqe


Italia do të futet në karantinë deri në muajin maj. Mediet fqinje bëjnë me dije se duke filluar nga e hëna më shumë se gjysma e vendit do të shpallet zonë e kuqe.
Ndërsa Kalabria, Toskana dhe Valle d’Aosta do t’i shtohen 7 rajoneve dhe provincës autonome të Trentos ku janë në fuqi kufizimet më të ashpra, ndërsa Lazio do të mbetet përsëri në zonën portokalli.
Me 24 mijë raste dhe 380 vdekje në një ditë, qeveria konfirmon vijën e ashpërsisë maksimale kundër koronavirusit edhe pas Pashkëve. Në të gjithë zonat e kuqe, mësimi do të vijojë deri në klasën e gjashtë, ndërsa në ato portokalli, të gjithë nxënësit deri në klasën e 8 dhe 50% e nxënësve të shkollës së mesme do të zhvillojnë mësimin në klasë.
Deri më 30 prill nuk do të ketë asnjë lëvizje midis rajoneve, grila të ulura akoma për bare dhe restorante, rihapja e palestrave, pishinave, kinemave dhe teatrove do të jetë në një datë të mëvonshme, zona e verdhë u anulua deri në fund të muajit.
“Masat e miratuara deri më tani na kanë dhënë shenjën e parë të ngadalësimit, por situata është ende delikate”, ka thënë Ministri i Shëndetësisë në Itali Roberto Speranza.