I dënuar me nëntë muaj burg për korrupsion, arrestohet 38-vjeçari i shpallur në kërkim në Tiranë

07/07 9:55
Credits to Apollon TV
I dënuar me nëntë muaj burg për korrupsion, arrestohet 38-vjeçari i shpallur në kërkim në Tiranë

Shtetasi Arsen Maka është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi ishte dënuar me nëntë muaj burg për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” nga Gjykata e rrethit Gjyqësor Tiranë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ekzekutimin e urdhrit të prokurorit për ndalimin e shtetasit Arsen Maka, 38 vjeç (i kapur nga Seksioni i kërkimit), pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 9 muaj burg, për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike””, shkruhet në njoftimin e uniformave blu.

Gjithashtu në prangat e policisë kanë rënë edhe nëntë shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Ndërkohë, materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ekzekutimin e urdhrit të prokurorit për ndalimin e shtetasit Arsen Maka, 38 vjeç (i kapur nga Seksioni i kërkimit), pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 9 muaj burg, për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. D., 43 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 23 vjeç, pasi në rrugën ”Qazim Daja”, në banesë, punonjësit e OSHEE-së kanë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. K., 43 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit dhe bashkëshortes së tij (e cila ka qenë e pajisur me urdhër-mbrojtje).

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve S. D., 39 vjeç dhe Sh. P., 37 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 4 Kavajë, kanë goditur për motive të dobëta, me mjet prerës (thikë), shtetasin K. L., 35 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

A. Xh., 49 vjeç, V. D., 42 vjeç dhe G. K., 52 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur;

O. S., 19 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.

Më datë 06.07.2021, shtetasja B. M., 40 vjeçe, ka kallëzuar se i kanë vjedhur portofolin me një shumë parash dhe kartën e identitetit. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Më datë 06.07.2021, në rrugën “Taulantia”, në derën e jashtme të banesës së shtetasit O. T., 47 vjeç, dyshohet se kanë hedhur lëndë djegëse. Si pasojë ka marrë flakë dera, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.