Humb jetën nga Covid-19 biznesmenia e njohur në Durrës, në 2013 mori titullin ‘Nderi i Qytetit’

04/01 18:02
Credits to Apollon TV
Humb jetën nga Covid-19 biznesmenia e njohur në Durrës, në 2013 mori titullin ‘Nderi i Qytetit’

Sot  ka humbur jetën nga Covid-19 sipërmarrësja e njohur në qytetin e Durrësit, Shpresa Prodani. Njoftimin për humbjen e trsihtë e ka bërë vajza e madhe e saj, Evis Prodani, përmes një postimi në rrjete sociale.

“Mamase, shoqes, dhe keshillueses me te mire qe mund te kishim kerkuar. E dime qe ti je me babin dhe do vazhdosh te na shohesh. Te duash shume!! RIP”, shkruan Evisi në postimin e saj.

Shpresa 17 vite më parë, në 4 janar 2004, do të humbiste bashkëshortin, Shpëtim Prodani, një person i njohur në qytetin bregdetar. Ajo lindi në Tiranë më 12 shkurt 1952. Ishte një studente e talentuar e Inxhinierisë dhe për shumë vite do të angazhohej në arsimin profesional në Durrës, duke përgatitur breza të tërë gjimnazistësh.

Kur i shoqi u nda papritmas nga jeta në vitin 2004, asaj iu desh të merrte përsipër biznesin që kishte themeluar dhe drejtonte ai, kompaninë e transportit “DyrrahSped”. Krahas angazhimit në kompaninë “DyrrahSped”, Shpresa Prodani do të ishte një nga anëtaret më aktive të Rotary Club Durrës, ndërsa në vitet 2016-2017 ishte presidente e kësaj organizate. Shpresa Prodani ishte edhe aksionere në kompaninë e njohur të sigurimeve SIGMA.

Nga viti 2005, Shpresa Prodani u bë anëtare e Universal Freight Organization me qendër në Londër. Është fituese e çmimit për kualifikim e menaxhim në Gjenevë të Zvicrës dhe përfaqësuese e Shqipërisë në forumin e parë të Detit të Zi për transportin dhe logjistikën mbajtur në Stamboll në dhjetorin e vitit 2011 nga UNDP-ja.

Për të gjithë këtë angazhim aktiv në fushën e biznesit, Shpresa Prodanit Bashkia e Durrësit dhe Shoqata Durrësi, i akordoi titullin e lartë “Nderi i qytetit”, në vitin 2013.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.