Greva e kontrollorëve të AlbControl, ANULOHEN të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Rinasit

07/04 11:15
Credits to Apollon TV

Të gjitha fluturimet e sotme për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, janë anuluar. Shkak për këtë është bërë greva e kontrollorëve dhe punonjësve të AlbControl.

Fluturimet mund të rinisin përsëri nesër, por deri tani nuk ka asgjë të konfirmuar pasi nuk ka marrëveshje mes ministres Balluku dhe punonjësve të AlbControl. Prej muajit prill 2020 pagat e kontrollorëve dhe stafit të AlbControl janë ulur me 70%, ndaj dhe ata janë në grevë.

Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Trafikut Ajror (SPKTA), thotë se në mungesë të një reagimi për shqetësimin e ngritur prej tyre, kontrollorët janë në grevë dhe për pasojë fluturimet nga dhe për në Shqipëri rrezikojnë të mbyllen përfundimisht për një afat të pacaktuar.

“Duke vlerësuar rëndësinë e sigurisë në fushën e aviacionit civil si dhe rrezikshmërinë e cënimit të saj; bazuar në faktin që siguria, vecanërisht në fushën tonë të punës bazohet në gjendjen e mirë psiko/fizike të kontrollorëve si dhe në shpërblimin e drejtë të tyre në raport me rëndësinë e punës që kryejnë, ndihemi të shtrënguar të vëmë në dijeni opinionin publik mbi rrezikun e pamundësisë së garantimit të sigurisë së fluturimeve ajrore mbi dhe në Republikën e Shqipërisë, dhe rrezikun e mbylljes përfundimtare të saj për një periudhë kohore të papërcaktuar”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Sindikatës.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.