
Grabitje me armë në Astir, një person futet në “exchange” dhe merr 30.000 euro
Një grabitje me armë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të shtune në Tiranë në zonën e “Unazës së Re”. Mësohet se një person ende i paidentifikuar, ka hyrë në pikën e këmbimit valutor dhe ka grabitur paratë që ishin aty.
Policia e Tiranës bën me dije se ky shtetas mbante në dorë një send të dyshuar si armë zjarri dhe pasi ka marrë paratë, është larguar me biçikletë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërkohë që Shërbimet kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën, për të bërë të mundur kapjen e tij.
Megjithatë, në njoftim nuk specifikohet nëse në pikën e këmbimit valutor ka pasur punonjës apo persona të tjerë, pra nëse ajo ka qenë në punë apo ishte e mbyllur. Paraprakisht, mësohet se shuma e grabitur është mbi 30,000 euro.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 24.06.2023, rreth orës 08:25, në rrugën “Tom Plezha” në Unazë të Re, një person ende i paidentifikuar, i cili mbante një send të dyshuar si armë zjarri, është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor, ka marrë një shumë parash dhe është larguar me një biçikletë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën, për të bërë të mundur kapjen e autorit.