
Fushata e veçantë e Rrugores së Tiranës: Jeta është e shtrenjtë për t’u rrezikuar nga një pakujdesi e vogël!

Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit është një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve të ndodhura në rrugët e vendit tonë. Policia Rrugore e Tiranës ka ndërmarrë një fushatë të gjerë për të sensibilizuar të gjithë drejtuesit e mjeteve në rrugët e kryeqytetit.
Personazhe të dashur të ekranit kanë përqafuar nismën e shefit të Rrugores Besmir Qibini, duke u bërë thirrje shoferëve që të udhëtojnë me kujdes.
“Jeta është shumë e shtrenjtë për t’u vënë në risk nga një pakujdesi e vogël. Udhëtoni me kujdes”, thotë ish-mis Shqipëria dhe një ndër emrat më të dashur të ekranit, Valbona Selimllari.
Ky shembull i mirë i njësive të Policisë së Qarkullimit Rrugor në Tiranë është përshëndetur dhe nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, si një qasje që ka nisur të shtrihet në gjithë territorin e vendit, për një nivel tjetër komunikimi me qytetarët.
Fushata e ndërmarrë nga Komisariati i Policisë Rrugore në Tiranë ka në thelb zbatimin e rregullave nga drejtuesit e mjeteve dhe jo “suksesin ” e gjobave, sepse jeta është më e shtrenjtë se gjithçka.