Fundoset Enkelejda Hoxha, pas arrestimit KLGJ e shkarkon nga detyra

17/03 9:31
Credits to Apollon TV
Fundoset Enkelejda Hoxha, pas arrestimit KLGJ e shkarkon nga detyra

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Enkelejda Hoxha, e cila ndodhet nën arrest që prej muajit të kaluar. Kërkesa për shkarkimin e saj u bë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, pasi sipas tij Hoxha kishte shkelur ligjin në lirimin e disa personave të dënuar për krime të rënda.

Njoftimi i KLGJ-së mbi vendimin për Hoxhën:

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disiplinore shkarkim nga detyra për magjistraten E.H., gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Kryetarja Naureda Llagami njoftoi vendimin, sipas të cilit KLGJ, vendosi shkarkimin nga detyra të magjistrates gjyqtare.

Në seancën e paraqitjes së përfundimeve mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte argumentuar shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara.

E.H. është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për  shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së.

Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht këtë fenomen.

Pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vijon verifikimi për vendimmarrje të ngjashme bazuar në procesin e inspektimit tematik në gjykatat e prokuroritë e vendit.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.