
FSHF-ja i heq të drejtën e transmetimit Oversport për kampionatin shqiptar

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se ka ndërprerë bashkëpunimin me shoqërinë “Over Sport” për të drejtat e transmetimit të futbollit shqiptar.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare bëhet me dije se kompania në fjalë nuk ka zbatuar kontratën e firmosur duke sjellë në këtë mënyrë mbylljen e marrëveshjes. Në njoftimin e bërë në ëebsite-in zyrtar të FSHF-së thuhej:
“Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ka ndërprerë kontratën me shoqërinë “Over Sport” që kishte fituar të drejtën e transmetimit televiziv të kampionateve “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, si edhe të Kupës së Shqipërisë e Superkupës së Shqipërisë.
Ky vendim i FSHF-së ka ardhur pas shkeljeve dhe mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore në mënyrë të përsëritur nga shoqëria “Over Sport”.
Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të FSHF-së për të rivendosur bashkëpunimin në një modul të arsyeshëm, “Over Sport” në mënyre të përsëritur shpërdoroi besimin e dhënë nga FSHF.
FSHF e ndjen për detyrim ndaj tifozëve dhe konsumatorëve në përgjithësi, të bëjë me dije këtë lajm duke i garantuar se do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar transmetim televiziv profesional dhe të ndershëm për aktivitetet e saj.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit do të nisë procedurat ligjore në lidhje me rivendosjen e dëmeve që ka shkaktuar shoqëria në fjalë për mospërmbushjen e detyrimeve që përcaktonte kontrata e firmosur mes palëve në fillim të sezonit të kaluar”.
Kujtojmë që shoqëria “Over Sport” pati fituar të drejtën e transmetimit të kampionatit shqiptar për 3 sezone, deri në vitin 2025.