Xhojsi Lamaj, një kursant i Akademisë së Sigurisë për Patrullë të Përgjithshme ka kryer dje një gjest që është vlerësuar nga qytetarët dhe vetë drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.
Kursanti ka qenë duke lëvizur në zonën e “Rrugës së Kavajës” në Tiranë dhe në rrugë ka gjetur një portofol me sasi të mëdha parash, në lekë dhe valutë. Newsbomb.al mëson se bëhet fjalë për 10 mijë euro dhe rreth 500 mijë lekë shqiptare.

Xhojsi Lamaj menjëherë e ka marr portofolin me para dhe sendet e tjera personale dhe i ka çuar në Komisariatin nr.2. Aty është njoftuar shtetasja që e kishte humbur portofolin dhe menjëherë ka shkuar ta tërhiqte. Ajo ka vlerësuar veprimin e punonjësit të Policisë dhe e ka falënderuar atë.
Kursanti është falënderuar nga drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, si edhe nga drejtuesit e Akademisë së Sigurisë. Rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro i ka akorduar dhe dorëzuar Xhojsi Lamaj një Certifikatë Mirënjohjeje.