
Forca të shumta të FNSH dhe Shqiponjave kontrolle në Tapizë dhe Nikël

Dhjetëra efektiv të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt dhe Forcës Shqiponja janë duke ushtruar kontrolle në fshatrat Tapizë dhe Nikël. Në këto zona ka eksponentë të krimit dhe Nikla ka qenë një nga bazat ku ata strehohen kur shpallen në kërkim.
Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune, ekipet policore kanë kontrolluar shtëpi dhe biznese, për kapjen e personave të kërkuar.
Nuk dihet nëse kontrollet kanë lidhje me atentatin e ndodhur disa ditë më parë në Larushkë, ku mbeti i vdekur një shtetas dhe u plagosën dy fëmijë të mitur. Apo nëse Policia e Shtetit është vënë në lëvizje pas dhunës barbare ndaj dy kushërinjve të fisit Maja në aksin Fushë Krujë-Thumanë.
Janë arrestuar disa persona, familjarë dhe lidhje e anëtarëve të fisit të deputetit Rrahman Rraja, ndërsa në kërkim është shpallur djali dhe një nga vëllezërit e këtij të fundit.
Ata shkuan të armatosur në një lokal pranë rrugës Fushë Krujë-Thumanë dhe masakruan dy kushërinjtë Maja nga fshati Borizanë vetëm se këta të fundit kishin bërë shpesh ankesa pranë autoriteteve për shpërthimet me dinamit që bëheshin në guroren e fisit Rraja. Këto shpërthime u kishin dëmtuar shtëpitë.