Fondet e Investimit, tregu drejt përmirësimit, 2,4% rritje në tremujorin e parë 2021

19/05 12:34
Credits to Apollon TV
Fondet e Investimit, tregu drejt përmirësimit, 2,4% rritje në tremujorin e parë 2021

Tregu i fondeve të investimit po shfaq shenja përmirësimi këtë vit. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e aseteve neto në këtë treg arriti në 69 miliardë lekë, me rritje 2.4% kundrejt fundit të 2020-s. Në rritje paraqitet edhe numri i anëtarëve, megjithëse fondet vijojnë të investohen kryesisht në bono thesari dhe obligacione të qeverisë, çka kufizon diversifikimin e portofolit dhe zhvillimit të mëtejshëm të tregut.

Fondet e investimit po shihen si një alternativë e mirë investimi për të gjithë ata që kanë para të lira. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e aseteve neto arriti në 69 miliardë lekë, me rritje 2.4% kundrejt fundit të 2020-s. Ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, rritja vlerësohet në masën 3.1%. Këto shifra tregojnë për shenja të rimëkëmbjes së këtij tregu, pasi kriza e vitit të kaluar dha ndikimin e saj, duke theksuar edhe më shumë ecurinë e ngadaltë që pas vitit 2015.

Në tregun shqiptar janë të licencuar aktualisht 9 fonde investimi. Sipërmarrësit kryesorë në këtë treg janë bankat dhe shoqëritë e sigurimeve. Numri i anëtarëve të fondeve arriti në tremujorin e parë të këtij viti në rreth 34 mijë, duke shënuar një rritje prej 4.2% krahasuar me fundin e 2020-s dhe me 14.1% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Pjesën dërrmuese të tregut e përbëjnë asetet e fondeve në lekë, ndërsa ato në euro përbëjnë vetëm 13% të totalit. Fondet në lekë i investojnë kuotat e anëtarëve kryesisht në bono thesari dhe obligacione të qeverisë shqiptare, pasi alternativat e tjera mungojnë. Kjo është një ndër arsyet pse portofolet e këtyre fondeve nuk diversifikohen, çka nuk lejon përmirësimin e kthimeve për anëtarët dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut.

Përsa i përket fondeve në euro, ato janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverive dhe korporatave të huaja, ndërsa një pjesë e vogël në aksione, instrumente këto me risk më të lartë.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.