Fieri ne qytetet me emigracion te larte, pandemia po thellon pabarazine

28/02 10:29
Credits to Apollon TV
Fieri ne qytetet me emigracion te larte, pandemia po thellon pabarazine

Qytetet e mëdha të vendit, Shkodra, Fieri, Elbasani dhe Vlora, në presionin e emigracionit të lartë, pandemisë dhe së fundmi përmbytjeve, po humbasin konkurrueshmërinë dhe po thellojnë pabarazinë me kryeqytetin, i cili ka nivelin më të lartë të jetesës në vend. Qarku i Shkodrës, i cili zotëron burime të shumta natyrore dhe kulturore, ka performancën më negative nga 12 qarqet, në treguesit e papunësisë, klimës së biznesit dhe emigracionit të lartë. Në 10 vitet e fundit, pabarazia ndërmjet qarqeve dhe rajoneve është thelluar. Veriut i duhen 15 vjet për të arritur nivelin që ka rajoni i qendrës sot. Ekspertët këshillojnë krijimin e vendeve të punës me vlerë të shtuar për të rinjtë

Tkurrja me shpejtësi e popullsisë, pamundësia për të rritur produktivitetin, zgjerimi i zotërimeve të krimit, të kombinuara me efektet negative të pandemisë Covid-19, po i varfëron disa qytete të mëdha, të cilat deri tani kanë qenë në krye të prosperitetit ekonomik dhe social të vendit.

Qytetet turistike si Shkodra, Vlora, Lezha, për shkak të varësisë nga të ardhurat e vizitorëve dhe në përgjithësi, rajoni i Veriut, prej prapambetjes ekonomike, kanë pësuar goditjen më të fortë nga pandemia. Prefektura e Shkodrës, kryeqendra e Veriut ka ecurinë më negative.

Në tremujorin e tretë 2020, Shkodra shënoi rritjen më të madhe vjetore të papunësisë me 6.6 pikë përqindje dhe gjithashtu ishte e treta në 12 prefekturat për mbylljen e bizneseve më 2020. Nga censi i vitit 2011, deri në mes të vitit 2019, popullsia e Qarkut të Shkodrës u tkurr me 16.7% nga emigracioni, duke e renditur atë të parën për nga numri i madh i qytetarëve të larguar jashtë vendit. Përmbytjet e fundit dhe ekspozimi më i lartë ndaj fatkeqësive natyrore e kanë dëmtuar edhe më shumë qytetin.

Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, tha se përkeqësimi i treguesve ekonomikë dhe demografikë në Shkodër po vjen prej aktivitetit të lartë të krimit të organizuar. Shumë biznese në qytet janë të detyruara të paguajnë gjoba të majme kundrejt organizatave kriminale, krahas taksave për qeverinë. Kjo situatë, sipas saj, ka rënduar jetesën normale në një qytet që trashëgon histori dhe kulturë, ndaj shumë qytetarë zgjedhin të largohen.

Zgjerimi i aktivitetit të organizatave kriminale po bëhet shkak i përkeqësimit të klimës së biznesit edhe në disa qytete të tjera si në Elbasan, Fier dhe Vlorë. Pandemia Covid-19 ka përkeqësuar kushtet për biznes, duke rritur varësinë e financimeve nga burimet informale.

Një anketë e Bankës së Shqipërisë tregoi se në 6-mujorin e parë 2020, mbi 5% e bizneseve të mëdha huamarrëse janë financuar nga persona fizikë dhe kompani të tjera, me një rritje të dukshme nga viti 2019. Këto zhvillime po thellojnë pabarazinë ndërmjet qytetarëve dhe qarqeve nga njëra-tjetra.

Në vitin 2019, nga 12 qarqe gjithsej, 11 prej tyre i kishin shpenzimet për frymë më të ulëta se mesatarja kombëtare. 10 vite më parë, të paktën katër qarqe kishin konsumin mbi mesataren kombëtare. Ines Nurja, Drejtoreshë e INSTAT, tha se pabarazia është thelluar, përderisa 90% e familjeve shqiptare konsumojnë më pak se mesatarja kombëtare.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.