
Federata Europiane e Gazetarëve e alarmuar nga shkarkimet e Alfred Pezës në RTSH

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka raguar lidhur me shkakrimet e njëpasnjëshme të bëra në RTSH, pas marrjes së detyrës së Alfred Pezës në krye të saj.
Përmes një postimi në “Twitter”, Gutierrez ka dhënë alarmin dhe ka kërkuar nga gazetarët e shkarkuar që të informojmë federatën.
“Jemi të alarmuar nga vala e shkarkimeve arbitrare të urdhëruara nga drejtori i ri i Televizionit Publik Shqiptar -RTSH, z.Peza. Ftojmë të gjithë gazetarët e synuar të na informojnë. Alfred Peza është drejtor mediatik, por ka qenë edhe ish-deputet edhe sekretar i Marrëdhënieve me Median për Partinë Socialiste Shqiptare deri në shtator 2021”, shprehet ai.
Ndërkohë, edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënoi këtë të mërkurë shkarkimet e fundit në televizionin publik RTSH, duke thënë se ato kontribuojnë në përkeqësimin e lirisë së medias në vend.
Unioni i bëri thirrje kreut të ri të RTSH-së që të rishikojë shkarkimet dhe i kërkoi OSBE-së të monitorojë situatën.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vendime të tilla ekstreme i konsideron arbitrare dhe përbëjnë një klimë tensioni, presioni dhe ndëshkimesh ndaj gazetarëve, aq më tepër në kushtet kur në këtë institucion nuk ekzistojnë përfaqësime sindikale dhe struktura dialoguese mes administratorëve dhe entiteteve profesionale apo punonjësve që largohen,” thuhet në deklaratë.
Alfred Peza, një ish-zyrtar dhe ish-deputet i Partisë Socialiste në pushtet, u zgjodh drejtor i ri i RTSH në qershor, duke shkaktuar shqetësim për pavarësinë e tij politike.
BIRN kontaktoi Pezën për një koment në lidhje me kritikat, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit, përtej këshillimit që të kontaktonim me institucionin.
Unioni tha se kishte mësuar se 10 gazetarë të shkarkuar, operatorë dhe anëtarë të redaksive të programacionit dhe Radio Tiranës kanë nisur procedurat e ankimimit në gjykata për shkarkimin e tyre.
“Gazetarët na informojnë se një komision i ngritur pranë Departamentit të Burimeve Njerëzore të RTSH-së realizon një seancë dëgjimi formale të punonjësve në largim”, tha Unioni.