Erozioni zhduk plazhin e Semanit, deti ka përparuar 1 kilometër.

16/03 23:24
Credits to Apollon TV

Erozioni detar është forma më e përhapur e erozionit në vendin tonë. Me një vije bregdetare prej 454 km, ekspertët mendojnë se degradimi nga erozioni detar i vijës dhe sipërfaqeve bregdetare është një dukuri sa serioze, aq dhe alarmante.

Fakti qe rreth 150 km të vijës sone bregdetare po i nënshtrohet progresivisht dhe me ritme te shpejta erozionit galopant ndikon negativisht ne zhvillimet infrastrukturore, social-ekonomike e turistik.

Ky është plazhi i Semanit në Fier. I konsideruar si një ndër plazhet me erozionin më të lartë, në disa pjesë të deltës së Lumit të semanit, deti në këtë zonë ka avancuar me ritme të mëdha. Plazhi i Semanit është zvogëluar disa herë, duke filluar që nga vitet 60-të, madje vetë banorët thonë se deti është futur me rreth 1 km drejt tokës.

Në këtë deltë deti ka përpirë 130 hektarë tokë për periudhën nga viti 2005-2016. Ose e thënë ndryshe çdo vit, deti në këtë zonë, përparon me 95 hektarë tokë. Studimi është kryer nga Çerçiz Durmishi nga Fakulteti i Gjeologjisë pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, që ka monitoruar vijën bregore të vendit. 

Bunkerët e ushtrisë të ndërtuar diku rreth viteve 80-të tashmë janë futur rreth 350 metra në det.

Ata tashmë janë krejtësisht nën ujë dhe dallohen vetëm nga dallgëzimi që krijohet kur valët e detit përplasen me to.
Të tjerë bunkerë mund t’u dallohet vetëm kupola, që ka mbetur ende e papërmbytur. Plazhi i vjetër shtrihej para bunkerëve të ushtrisë.

“Shohim pas meje bunkerët që kanë qenë 30 vite më parë dhe kjo është një panoramë e erozionit detar që ka përfshirë këtë zonë këto tre dekada. Presupozohet që jemi në një distancë ku deti ka avancuar rreth 300 metra dhe imagjino nga pozicioni aktual ku ndodhemi nëse ritmi do të jetë i njëjtë do të avancojë në drejtim të tokës dhe këtë pjesë tokë që ne kemi përpara nuk do të jetë më e as ky plazh mund të mos jetë më nëse nuk merren masa” u shpreh Elvin Torromani, Universiteti Bujqësor./tch

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.