Erdhi në Rinas dhe pas 30 minutash në ajër u kthye, avioni grek niset përsëri nga Athina, i vetmi që do ulet te ‘Nënë Tereza’

07/04 9:23
Credits to Apollon TV

Avioni grek i kompanisë “Aegean Airline” është nisur para pak minutash përsëri nga Athina, për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, “Nënë Tereza”.

Mësohet se pasi qëndroi për 30 minuta në ajër në hapësirën ajrore të Shqipërisë, avioni i nisur nga Athina u kthye sërish në aeroportin grek dhe zbriti të gjithë pasagjerët, pasi ulja në Rinas dështoi. Shkak është bërë greva kontrollorëve dhe stafit të AlbControl, prej ditës së djeshme.

Mirëpo, nga drejtuesit e AlbControl është marrë vendimi që avioni i kompanisë greke të niset përsëri pasi do t’i mundësohet ulja në pistën e Rinasit. Por, ky vendim vlen vetëm për këtë avion duke qenë se ai mbërriti mëngjesin e sotëm në Tiranë por nuk mundi të ulej.

Pas njoftimit, të gjithë pasagjerët e avionit të “Aegean Airline” janë nisur sërish drejt Tiranës.

Njoftim nga Aeroporti Nënë Tereza

Sot, më 7 Prill 2021, nga ora 9.23 deri në ora 09.55, orë lokale, janë ndërprerë operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, për shkak të mungesës së stafit në Agjencinë e Trafikut të Kontrollit Ajror. Dy fluturime janë prekur nga ky fakt, Aegean Airline me destinacion Athinë-Tiranë dhe Air Albania me destinacion Stamboll-Tiranë, që do të ketë 40 minuta vonesë. Aegean Airline është kthyer sërish në Athinë.

Operimet kane rifilluar normalisht në 09.55 dhe Aegean pritet të riniset për të sjellë pasagjerët në Tiranë.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.