E përjashtoi se nuk iu bind Ramës, a do jetë i ngjashëm fati i Dritan Lelit me atë të Shpëtim Gjikës?

12/03 18:21
Credits to Apollon TV
E përjashtoi se nuk iu bind Ramës, a do jetë i ngjashëm fati i Dritan Lelit me atë të Shpëtim Gjikës?

Dritan Leli është përjashtuar nga Partia Socialiste pasi refuzoi të hiqte dorë nga detyra e kryebashkiakut për të kandiduar për deputet.

Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh anëtarëve të asamblesë së PS, dega Vlorë ku kërkon përjashtimin e tij.

“Dritan Leli nuk është më pjesë e jona”, thuhet në mesazhin e kryeministrit.

Ky mesazh erdhi pak ditë pasi Rama i kishte kërkuar Lelit që të dorëhiqej nga bashkia për të kandiduar në listën e PS-së për Vlorën, por kryebashkiaku refuzoi kërkesën e shefit të tij pasi nuk besonte se do të mund ta merrte mandatin me renditjen që do t’i bënte kryeministri.

I refuzuar nga vartësi i tij, Rama ka vendosur tashmë që PS të mos ketë asnjë lidhje me Lelin, personazh i cili nuk i ka pëlqyer asnjëherë edhe të besuarit të Ramës në këtë qark, Damian Gjiknurit.

Rama: Me të, pa të, Vlora do realizojë objektivin

Tri ditë më parë, Rama u pyet nga gazetarët mbi refuzimin e Lelit për të kandiduar si deputet. AI e konfirmoi dhe tha se me të, ose pa të, skuadra në Vlorë do realizojë objektivin bazë

“Në formimin e një skuadre ka dinamika të brendshme. Këtu nuk ka rëndësi fare se çfarë ka menduar njëri apo tjetri. Është e vërtetë që unë i kam propozuar që ai të bëhet pjesë e skuadrës, nuk e ka parë të arsyeshme, është zgjedhja e tij. Me të, pa të skuadra jonë në Vlorë do realizojë objektivin bazë dhe do shkojë shumë afër objektivit maksimal që është plotësisht i mundur sipas meje, s’ka asnjë problem”, deklaroi Rama.

Nëse Leli jepte dorëheqjen, drejtimin e institucionit e merrte nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Afrim Qëndro, bashkëpunëtor i ngushtë i Damian Gjiknurit. që nga koha kur njëri ishte Ministrinë e Energjisë dhe të Infrastrukturës dhe tjetri drejtor i ARRSH-së.

Rasti i Shpëtim Gjikës

Në kujtesën e vlonjatëve është ende e freskët historia e Shpëtim Gjikës, kryebashkiakut që për arsye jo të qarta gjatë fushatës së 2013-ës pati përplasje me Ramën.

Marrëdhëniet mes tyre u lëkundën edhe në vitin 2015. Asokohe, pak muaj para se të përfundonte mandatin e kryebashkiakut.

Gjika u prangos në vitin 2016, i akuzuar për falsifikim dokumentesh në dhënien e lejeve për ndërtime të paligjshme në qytetin bregdetar por më pas gjykata vendosi hetimin dhe vijimin e procesit gjyqësor në gjendje të lirë.

Ai u desh të kalonte nëpër një kalvar të gjatë gjyqësor deri sa t’i kthehej jetës normale.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.