E penalizon Shqipërinë konflikti Maqedoni-Bullgari? Varhelyi: Qershori muaji kritik, ne po punojmë fortë; Rama: I kemi bërë detyrat, jemi të qetë

10/06 14:34
Credits to Apollon TV
E penalizon Shqipërinë konflikti Maqedoni-Bullgari? Varhelyi: Qershori muaji kritik, ne po punojmë fortë; Rama: I kemi bërë detyrat, jemi të qetë

Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhelyi, kanë mbajtur pak më parë një konferencë për mediat, për Konferencën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë dhe lëvizjen e lirë në BE, si përpara pandemisë së Covid-19.

Të pyetur nëse e penalizon Shqipërinë konflikti Maqedoni e Veriut-Bullgari, Komisioneri ka thënë se ata po punojnë fortë që konferenca të mbahet sa më parë dhe asnjë nga vendet të penalizohet, por e cilësoi muajin qershor si kritik për këtë çështje, shkruan newsbomb.al. Kryeministri Rama tha se ai është i qetë se prej tre vitesh Komisioni është shprehur se Shqipëria i ka bërë detyrat.

Oliver Varhelyi: “Ky muaj është kritik. Është qershori i këtyre vendimeve, duhet të merren këto vendime. Ne po punojmë shumë fortë. Edhe në këto momente. Kjo është periudha e diplomacisë së heshtur, të gjejmë zgjidhje. Është shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Ne duam që kjo gjë të ndodhë. Jemi shumë të angazhuar.”

Edi Rama: “Ne, ka rëndësi që detyrat tona t’i bëjmë plotësisht sepse nuk i bëjmë se na i kërkon Brukseli, Berlini, Parisi apo Haga, por sepse na i kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm. Detyrat e shtëpisë të integrimit europian janë rruga për të modernizuar shtetin tonë. Janë rruga për ta bërë Shqipërinë europiane, në sistemin e  saj të drejtësisë, të institucioneve të mirëqeverisjes dhe shërbimeve ndaj qytetarëve.

Për sa kohë Komisioni na ka thënë detyrat i këni bërë prej 3 vitesh, ne jemi të qetë. Këshilli Europian ka pasur arsyet e veta që nuk kanë fare lidhje me ne. Sot, fatmirësisht nuk ka kontestim për detyrat tona, jo vetëm nga Komisioni që s’ka pasur më parë, por edhe vendet anëtare. Ka një ngërç mes Bullgarisë dhe Maqedonisë. Ne nuk kemi asnjë lloj shqetësimi apo arsye për të thënë që ne po sakrifikohemi. Ne këtu jemi me BE dhe po vazhdojmë punën për të përmirësuar jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve.”

Ndërkohë, përsa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve në vendet e BE, Varhelyi tha se atë e vendosin vetë shtetet duke u bazuar në situatën epidemiologjike të vendeve nga të cilat do të pranojnë turistë, shkruan newsbomb.al. Kjo pyetje iu drejtua fillimisht Ramës, i cili tha se BE duhet të vendoste vetë për lehtësimin e lëvizjes sepse Shqipëria është më mirë se vendet anëtare në bazë të situatës epidemiologjike.

Edi Rama: “Ma bëre mua por duhet të flasë Komisioneri i pari se janë ata që vendosin, është oborri i tyre. Ne në oborrin tonë jemi më mirë se ata. Por vendosin ata për oborrin e tyre.”

Oliver Varhelyi: “Komisioni u ka bërë vendeve aëntare një rekomandim pasi është përgjegjësi e tyre për të vendosur për udhëtime jothelbësore, pra për turizëm. Tani janë vendet anëtare që duhet të shikojnë se në ç’kushte janë ato për të hequr ato kufizime. Kushti kryesor këtu është situata epidemiologjike.

Ne do të shikojmë edhe një lehtësim në udhëtim. E gjitha kjo varet nga situata e pandemisë. Askush nuk duhet ta shohë si çështje diplomatike. Kjo është vërtet një çështje që ka të bëjë me shëndetin publik. Nga 1 korriku kjo do të jetë pjesë e historisë sonë të përbashkët.”

Edi Rama: “Ne jemi këtu, vazhdojmë tezgjahun tonë. Fijet janë lidhur. Çfarëdo që të bëjnë ata te trau, po tju shkojmë me parime dhe vlera, ata nuk kanë çfarë thonë. Kështu që kini besim.”

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.