
Dyshohet si vrasës me pagesë, shënjestra e Amarildo Nikollës ishte “i forti” i Vlorës

Detaje te reja kanë dalë nga arrestimi i Amarildo Nikollës (Xhanej), i cili ra në pranga një ditë më parë në Vlorë. Burime për mediat bëjnë me dije se shënjestra e atentatit dyshohet të jetë Inez Hajrulla. Ky i fundit i ka shpëtuar dy atentateve, përkatësisht në vitin 2017 dhe 2019.
35-vjeçari nga Shkodra u arrestua një ditë më parë “i armatosur” deri në dhëmbë, me armë me silenciator e me municion luftarak, me doreza dhe kapuç.
Theksojmë se Inez Hajrulla është një emër shumë i njohur për Policinë, i cili i ka shpëtuar dy atentave, fillimisht në vitin 2017 dhe më pas në 2019. Në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët.
Më pas atij iu bë atentat me 10 Maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal. Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël.