“Drita jeshile” e Holandës, Rama: Jua kisha thënë

16/06 14:41
Credits to Apollon TV
“Drita jeshile” e Holandës, Rama: Jua kisha thënë

Kryeministri Edi Rama reagoi pas miratimit të Parlamentit të Holandës të kuadrit negociues me Shqipërinë, që i hap rrugë nisjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes vendit tonë dhe Bashkimit Europian.

“Parlamenti holandez mbështet thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim. Jua kisha thënë, pa u bërë zgjedhjet atje nuk kemi çfarë presim dhe ja, zgjedhjet mbaruan, Shqipëria u zhbllokua”, shkruan Rama në Facebook.

Të mërkurën, ambasada holandeze në Tiranë konfirmoi se Holanda ka rënë dakord për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë. “Sot, shumica e parlamentit ra dakord që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, pas miratimit të kuadrit negociator. Procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

“Qeveria holandeze është e kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë. Qeveria pret me kënaqësi mbajtjen e të parës Konferencë Ndërqeveritare si një nisje zyrtare e negociatave, një trajektore intensive në të cilën reformat në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike do të mbeten prioritete kyçe”, thotë ambasada.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.