
Drejtonin mjetin nën efektin e drogës! Manovra në rrugë, arrestohen 2 të rinj!

Janë konstatuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas që drejtonin automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike. Këta shtetas janë evidentuar nga Policia Rrugore, e cila vijon kontrollet e dedikuara, për ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Bëhet me dije se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore kanë ndaluar për kontroll automjetet me drejtues shtetasit D. S., 20 vjeç dhe A. S., 19 vjeç, pasi janë konstatuar duke kryer manovra të gabuara. Pas tesimit të tyre, rezultoi se të dy këta shtetas e drejtonin automjetin, në efektin e lëndëve narkotike. Për këtë arsye dy të rinjtë u vunë në prangat e policisë. Kështu ka shkuar në 32 numri i drejtuesve të automjeteve që kanë rezultuar në efektin e drogës, gjatë këtij viti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.