
Detaje të reja/ Zbulohet arma me silinciator që u përdor në atentatin ndaj Shkëlzen Kastratit në Fier


Detaje të reja janë zbardhur nga atentati që ndodhi paraditen e kësaj të hëne në fshatin Sheq të Fierit, ku mbeti i vdekur Shëlzen Kastrati. Burimet bëjnë me dije se është gjetur arma e krimit. Automatiku i tipit ‘Scorpion’ me silinciator është gjetur në makinën e djegur nga autorët.
Makina e cila dyshohet se është përdorur nga autorët është gjetur pak më parë e djegur plotësisht në fshatin Mbrostar të Fierit. Ndërsa pas kontrollit të automjetit është gjetur arma e tipit automatik e cila dyshohet se është përdorur në atentatin e Shëlzen Kastratit.
Siç shihet dhe nga pamjet makina ku gjendet ende trupi i viktimës ka dalë jashtë rrugës dhe është përplasur me një tjetër mjet, duke qenë se drejtuesi ka humbur kontrollin pasi është qëlluar me armë.
Shkëlzen Kastrati, 40 vjeç, njihet si një person i qetë, ndërkohë vlen të përmendim se ai është i vëllai i Klement Kastratit, personit të cilit iu bë atentat 4 vite më parë po në Mbrosar të Fierit, ku humbi jetën një person dhe u plagosën dy të tjerë.
Duke qenë se ngjarja ka ndodhur në një orar kur zona ka pasur prani të madhe qytetarësh, Policia është duke shoqëruar dëshmitarë që mund të kenë parë skemën në të cilën kanë ndodhur krimi.
Ndërkohë policia e Vlorës ka ngritur postblloqe në rrugët hyrëse të qytetit.
