
Çfarë do të bëjë Lulzim Basha me kompanitë ‘mike’ ruse!

Lulzim Basha u votua nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, si reporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë. Sipas PD-së zyrtare, vendimi erdhi pasi Lulzim Basha kishte propozuar një rezolutë në Këshillin e Europës që bën thirrje për konfiskimin e aseteve ruse, krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara dhe vendosjen e këtyre fondeve në dispozicion të financimit për projektet e rindërtimit të Ukrainës. Por teksa e gjitha kjo është një kërkesë dhe vendim normal, anormalja ka të bëjë me faktin se Lulzim Basha është politikani më i sulmuar në vendin tonë dhe jo vetëm, për lobime ruse. Ka qenë raporti i inteligjencës amerikane i publikuar shtatorin e kaluar, që fliste për 300 milionë dollarë ruse, të dhëna për parti të ndryshme politike në dhjetëra vende të botës, e 500 mijë dollarë financim Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha, e këto para përmes kompanive fantazëm. Veç kësaj akuze të publikuar nga Zëri i Amerikës, Lulzim Basha do të akuzohej për lobime ruse. Asokohe firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për lobimin e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017. Këto pagesa ishin bërë në 3 pjesë nga kompania ‘Biniatta Trade LP’ një herë në shumën prej 150 mijë dollarësh, e më pas dy pagesa me nga më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Hetimet për dosjen në fjalë janë mbyllur në vendin tonë, teksa ish-kryeministri akuzon për këtë Edi Ramën, përçka shprehet se mban peng Lulzim Bashën e ky i fundit PD. Kësisoj, një politikan i akuzuar publikisht për financime ruse, do të jetë reporter për konfiskimin e aseteve ruse nëpër botë dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës, edhe pse në rastin e disa kompanive me aksionerë rus, si ‘Biniatta Trade Lp’, Lulzim Basha është në konflikt të hapur interesi.