Çelja e fushatës zgjedhore/ SHBA: Do të marrim masa ndaj atyre që nxisin dhunë

26/03 17:38
Credits to Apollon TV

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës reagoi pas çeljes së fushatës elektorale nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.

Në një deklaratë për mediat, SHBA kërkoi nga udhëheqësit politikë që të tregohen të përgjegjshëm dhe të mos nxisin dhunë. Në rast të kundërt, ambasada paralajmëroi se do të marrë masa.

“Si mikja dhe aleatja juaj, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qarta pritshmëritë dhe shpresat tona. Në këtë drejtim, është tërësisht e kuptueshme se ata që aktualisht janë në poste drejtuese kanë përgjegjësinë e parë dhe më të rëndë për të vepruar në interes të vendit. Ne do të marrim masat e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë ose nxisin dhunën, pranojnë ose nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, apo ndryshe përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij.”

Nxitja që u bëhet subjekteve politike nga ambasada amerikane është që të paraqesin ide dhe kandidatë që pasqyrojnë respekt për votuesit.

“Partitë dhe kandidatët e tyre sillen në përputhje me ligjet elektorale dhe standardet ndërkombëtare, duke refuzuar qartë dhunën dhe duke treguar se ata me të vërtetë do të ishin të denjë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Shqipërinë.”

Për votuesit, ambasada e SHBA bëri thirrje që të përdorin të drejtën e votës për të zgjedhur ata që mendojnë se përfaqësojnë më mirë interesat e tyre.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.