
Bujtinat vidhnin energji elektrike! OSHEE padit gjashtë biznese në Shkodër!

Nga kontrollet e ushtruara, nga OSSH Shkodër në bashkëpunim me forcat e rendit u kapën në flagrancë 5 subjekte private, me aktivitet “bujtina”. Nga verifikimi rezultoi se vidhnin energji elektrike me linjë të dytë. OSSH Shkodër ka kryer këtë aksion blic në zonën e Thethit, me fokus bizneset e zonës, duke u bazuar mbi të dhënat e humbjeve në zonë. Përkatësisht mësohet se përpos bujtinave edhe një subjekt privat “pulari” në Shkodër u zbulua se vidhte energji elektrike, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë tek një tjetër abonent që kundërshtonte punonjësit e OSSH të hynin në ambjent për të kryer faturimin. Bëhet me dije se OSSH ka intensifikuar kontrollet në sistemin e matjes së energjisë elektrike, me qëllim zbulimin e keqbërësëve me rrjetin. Të gjitha rastet e proceduara në prezencë të policisë i kaluan për gjykim të mëtejshëm institucioneve kompetente. Më tej në njoftim OSHEE i bën thirrje abonentëve të distancohen nga abuzimi me energjinë dhe të denoncojnë çdo rast që konstatojnë që ka shkelje.