Bilanc i frikshëm në shtator/ Drogë dhe vrasje, rreth 1 mijë të arrestuar

01/10 14:15
Credits to Apollon TV
Bilanc i frikshëm në shtator/ Drogë dhe vrasje, rreth 1 mijë të arrestuar

Muaji shtator është mbyllur me një bilanc negativ përsa i përket aktiviteteve kriminale dhe veprimtarive që janë në kundërshtim me ligjin në vendin tonë.
Bëhet me dije se janë finalizuar 83 operacione policore, nga të cilat u vunë në pranga 937 persona. Ndërsa nga kontrollet e kryera në të gjithë vendin janë asgjësuar mbi 60 mijë bimë kanabisi, drogë, armë dhe municion luftarak.
Në vetëm një muaj janë sekuestruar 68 kallëpe tritoli, 4 mina me telekomandë, 44 armë zjarri, 43 granata dhe 12 armë gjahu.
Përgjatë këtij muaji, janë goditur disa raste të shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, të cilat në kuadër të Pakestës së Sigurisë kanë vënë në qendër të vëmendjes nga shërbimet e policisë.
Dy megaoperacione shumë të mëdha janë zhvilluar këtë muaj, duke nisur nga ai i ditëve të fundit i koduar “Never forget” i cili bëri të mundur zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale kundër personit e pronës, të ndodhura më parë, brenda dhe jashtë vendit.
Megaoperacioni tjetër policor i koduar “Tempulli” në 12 qarqet e vendit, goditi veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të ndryshme te nxënësit, të rinjtë dhe grupmosha të tjera. Nga ky aksion i policisë u vunë në pranga 260 shtetas dhe u sekuestruan qindra kilogramë cannabis, dhe heroinë, kokainë, droga të tjera të reja në vendin tonë. Sakaq policia rrugore ka vënë në pranga 222 drejtues mjetesh dhe ka pezulluar 499 leje drejtimi. Ndërsa Shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar dhe goditur 48 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.