
Bastet, mbi 60 mln euro të ardhura!Qeveria parashikon trefishim të fondeve pas legalizimit

Qeveria parashikon që të trefishojë të ardhurat në buxhet nga legalizimi i basteve sportive online. Sipas relacionit të rishikuar të projektligjit që po diskutohet në komisionet parlamentare, të ardhurat në formën e tatimit, licencimit, kontributit në fondin e posaçëm të sportit dhe atij te Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të arrijnë në skenarin optimal 6.5 miliardë lekë, ose gati 61 milionë euro me kursin aktual të këmbimit valutor. Parashikimi bazohet në skenarin e licencimit të 10 kompanive për ushtrimin e aktivitetit të basteve online, nga tre që ishin në vitin 2018-të, kohë kur u mbyll ky aktivitet. Në 2018-n, tre kompanitë e vetme të licencuara derdhnin në buxhet rreth 20 milionë euro. Në relacion thuhet se trefishimi i licencave do të luftojë informalitetin në këtë sektor dhe do të trefishojë të ardhurat totale në buxhet. Sipas projektligji, parashikohet që një licencë të jepet për 400 milionë lekë. Nëse jepen 10 licenca, atëherë shifra shkon në 4 miliardë lek. Pjesa tjetër prej 2.5 miliardë lekësh do të sigurohet nga tatim-fitimi në nivelin 15 për qind për bastet online dhe 25 për qind për kazinotë dhe 15 për qind si kontribut për fondin e posaçëm për sportet. Një tjetër ndryshim nga varianti fillestar i projektligjit është heqja e tatim-fitimit për lojtarët. Projektligji shkaktoi debat gjatë diskutimeve të mërkurën në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku deputeti Erion Braçe kërkoi që shteti të ketë monopolin e këtij sektori.