Basha i përgjigjet Nishanit për shpalljen non grata të Berishës: Kaloi limitin, shpifje që i shërbejnë atyre që duan të përçajnë PD

28/05 10:21
Credits to Apollon TV
Basha i përgjigjet Nishanit për shpalljen non grata të Berishës: Kaloi limitin, shpifje që i shërbejnë atyre që duan të përçajnë PD

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, i cili akuzoi Bashën se e dinte më herët që Sali Berisha ishte shpallur non grata nga SHBA-ja. Në një reagim të vonë në rrjetet sociale, Basha hedh poshtë deklaratën e Nishanit, të cilën e quan shpifje të ulët. Ai shprehet se ka refuzuar çdo reagim për sulmet ndaj tij, por kjo çështje, thotë ai nuk ka të bëjë vetëm me Berishën, por me partinë. Sipas Bashës, Nishani e kaloi limitin dhe këto shpifje i shërbejnë vetëm atyre që duan të përçajnë PD-në.

“E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim me të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit. Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën, por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj”, shkruan Basha.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.