Banorët protestojnë për bllokimin e varkave në Lumin e Shalës dhe Liqenin e Komanit

15/07 9:01
Credits to Apollon TV
Banorët protestojnë për bllokimin e varkave në Lumin e Shalës dhe Liqenin e Komanit

Drejtuesit e strukturave të agroturizmit dhe banorët e zonës në Lumin e Shalës e në Koman janë ngritur në protestë këtë të shtunë, duke bllokuar një nga rrugët kryesore që të çon pranë këtyre atraksioneve turistike.

Sipas asaj që ata deklarojnë, prej katër ditësh Policia e Shtetit ka nisur një operacion të gjerë në Lumin e Shalës dhe Liqenin e Komanit, duke ndaluar të gjitha varkat e lundrimit që përdoren për të transportuar vendasit dhe turistët.

Siç shihet nga pamjet e mëposhtme, të pak minutave më parë, banorët kanë dalë në protestë për atë që thonë se është “buka e gojës”.

Pronaret e zonave akomoduese, thonë se shteti është duke i falimentuar, veç imazhit të keq te turistët, pasi shumë prej tyre kanë mbetur të bllokuar në Koman dhe kanë vënë në dijeni dhe ambasadat.

Zonat në të dy krahët e Liqenit të Komanit komunikojnë vetëm përmes transportit me varka dhe anije, pasi rruga është në gjendje katastrofike dhe pothuajse e gjithë gjatësia e saj është e mbushur me memoriale përkujtimore për ata që kanë humbur jetën nga aksidentet.

Ky aksion vjen pa asnjë masë paralajmëruese, në pikun e fluksit turistik, ku numri mesatar i vizitorëve në ditë është  500, ndërsa gjatë fundjavës 1000, ku në shërbim të tyre janë 38 varka transporti, 10 bujtina dhe struktura tjera mikpritëse, thonë vendasit.

Ndërkohë, Policia e Shtetit nga ana e saj thotë se operacioni “Lundrim i sigurtë” ka si synim kontrollin dhe verifikimin e plotë të dokumenteve dhe të përmbushjes së kritereve të sigurisë (pajisjen e pasagjerëve me jelekë shpëtimi), të mjeteve lundruese në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, si dhe për marrjen e masave penale dhe administrative ndaj pronarëve/poseduesve të këtyre mjeteve, që kapen në paligjshmëri.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.