Avokati i Popullit fillon hetimet: Në mënyrë të përsëritur, forcat e rendit kanë shkelur ligjin. Shoqërimi në Polici i fëmijëve që ishin në protestë

11/12 10:03
Credits to Apollon TV

Avokati i Popullit njofton se ka nisur një hetim administrativ për shoqërimin në Polici të disa të miturve që morën pjesë dje në protestën e zhvilluar për vrasje e 25 vjeçarit Klodian Rasha, në Tiranë.

Në reagimin e vetë, Avokati i Popullit thotë se në mënyrë të përsëritur forcat e rendit kanë shoqëruar disa të mitur, të pranishëm në protestë apo kalimtarë të rastësishëm, duke shkelur ligjin.

“Avokati i Popullit shpreh shqetësimin institucional, se në mënyrë të përsëritur, vërehet mungesa e zbatimit të rregullave, procedurave dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, për shoqërimin/ndalimin e të miturve nga forcat e rendit”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Reagimi i plotë:

Institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në dijeni, nga mediat online, por edhe shoqëria civile dhe organizata të saj, lidhur me shoqërimin e disa të miturve nga forcat e Policisë së Shtetit, pjesëmarrës ose në mënyrë rastësore të pranishëm, në protestën e zhvilluar dje në kryeqytet.

Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr.8454, datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, Avokati i Popullit filloi procedurën e hetimit administrativ të shqyrtimit të çështjes me nismën e vet, për rastin në fjalë.

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin institucional, se në mënyrë të përsëritur, vërehet mungesa e zbatimit të rregullave, procedurave dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, për shoqërimin/ndalimin e të miturve nga forcat e rendit.

Sjellim në vëmendje të autoriteteve, se:

fëmijët duhet të trajtohen në atë mënyrë, që promovon ndjenjën e tyre të dinjitetit njerëzor dhe vlerave, që lehtëson riintegrimin e tyre në shoqëri (të miturit në konflikt me ligjin), që pasqyron interesin më të lartë të fëmijës dhe, merr parasysh nevojat e moshës, pavarësisht rrethanave.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm, që lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit.

Zbatimi i saj në praktikë, ndër vite ka qenë puna dhe angazhimi maksimal i të gjithë aktorëve publikë dhe jo publikë, por jo vetëm, edhe organizatave ndërkombëtare, institucioneve të pavarura, institucioneve të Bashkimit Evropian, për përmirësimin e kuandrit ligjor në vazhdimësi, organizimin e trajnimeve të ndryshme, për ngritjen e kapaciteteve të punonjësve, që janë në shërbim të drejtpërdrejtë me fëmijët, organizimit të fushatave ndërgjegjësuese, ngritjes së institucioneve të reja për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve.

Avokati i Popullit dhe KMPDF në vijëmësi kanë rekomanduar marrjen e masave nga ministritë e linjës dhe institucionet shtetërore, për informimin e të gjitha strukturave përgjegjëse për ushtrimin e detyrimeve dhe përgjegjësive në zbatim e legjislacionit të mbrojtjes së fëmijës dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur!

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.