
Arrestohet i riu që tentoi të vriste 38-vjeçarin në Shijak, në kërkim bashkëpunëtori


Mesditën e sotme në Maminas, Shijak, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. D., 27 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Benz” me drejtues shtetasin A. D., 38 vjeç.
Policia njofton se nga të shtënat nuk ka patur asnjë person të lënduar, ndërkohë që është arrestuar në flagrancë 27-vjeçari që qëlloi dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. D. në ambientet e Policisë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. D., 27 vjeç banues në Maminas, Durrës, si dhe u bë shpallja në kërkim policor e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit B. D., 28 vjeç (kushërinj me njëri-tjetrin), për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vrasja e mbetur në tentativë” kryer në bashkëpunim.
Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për gjetjen dhe administrimin si provë materiale të armës së zjarrit me të cilën dyshohet se ky shtetas ka qëlluar në drejtim të mjetit.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.