
Arben Ahmetaj paraqitet në Prokurorinë e Posaçme

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme.
SPAK po zhvillon hetime për një sërë veprash penale, duke nisur nga pastrimi i parave dhe korrupsioni.
Gjithashtu, organi i akuzës ka vendosur në sekuestro preventive dy vila, të cilat dyshohet se janë në pronësi të bashkëjetueses dhe ish-bashkëshortes së ish-zëvendëskryeministrit.
Ahmetaj është paraqitur i vetëm dhe ka hyrë në ambientet e prokurorisë rreth orës 12:00.
Pritet që në përfundim të marrjes në pyetje, Ahmetaj të japë një prononcim në lidhje me akuzat që rëndojnë mbi të.
Ahmetaj ka kundërshtuar kontrollet e kryera nga SPAK në vilën e bashkëjetueses së tij, nën argumentin se ai gëzon mandatin e deputetit dhe SPAK duhet të merrte autorizim nga Kuvendi i Republikës.
Por Gjykata ka rrëzuar të gjitha ankimimet e tij dhe ka certifikuar lëvizjet e SPAK.
Ahmetaj po hetohet rreth dyshimeve për të paktën 4 vepra penale:
- mos deklarimi apo fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive,
- korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë,
- pastrimi i parave ,
- shpërdorimi i detyrës.